U arrestua në Greqi, Bego i mbylli problemet me drejtësinë italiane në Shqipëri

  • 6 years ago
Edmond Bego sot 48-vjeç, biznesmeni në fushën e ndërtimeve që ka përdorur disa emra, i arrestuar dy ditë më parë në Igumenicë, për llogari të shtetit italian teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, u la në burg nga gjykata greke.Burime për Shqiptarja.com dhe Report Tv bënë me dije se është pikërisht ky vendim i Gjykatës së Lartë i cili është paraqitur edhe si provë pranë autoriteteve greke që fakton se Bego i ka mbyllur në Shqipëri hesapet që kishte me drejtësinë italiane, por me sa duket ky fakt nuk i ka bindur grekët.

Kujtojmë që Edmond Bego ka qenë drejtor i klubit të Lushnjës deri në vitin 2005. Ai njihej si person i afërt, mik me Aldo Baren. Nisur nga të gjtiha këto një ditë më parë shpërthyen akuzat mes politikanëve shqiptarë. Demokratët Edi Paloka dhe Edomand Spaho thanë se ai ishte ortak në biznes i nënkryetarit të PS-së, Taulant Balla, ndërsa ky i fundit premtoi se do t?i çonte në gjykatë të gjitha akuzat.

Shqiptarja.com mëson se për dënimin nga shteti italian me akuzat e pjesëmarrjes dhe krijimit të organizatave kriminale, kontrabandës dhe trafikimit të drogës, heroinë dhe kokainë, Bego është arrestuar në Shqipëri në vitin 2009.

Çështja e tij ka kaluar nga Apeli në Gjykatën e Lartë. Bego ka përfituar edhe nga amnistia e përgjithshme për të reduktuar dënimin. Në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 15 shtator 2010, gjyqtari Fatos Lulo arsyetonte sesi dënimi me 21 vite i shtetit italian ka zbritur në 14 vite, e më pas në Shqipëri me 7 vite, dhe në fund përfundon me 4 vite e 4 muaj.

Recommended